Vendosja e bustit të Ismail Qemalit në Durrës

Busti i heroit të kombit shqiptar Ismail Qemali, tani dhe përgjithmone do të qendroje edhe në qytetin Durrësit.  E projektuar si një iniciativë e Florentia Erjola Xheko-s dhe realizuar nga skulptori Haxhi Kalluci, monumenti i Ismail Qemalit, kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së vëndit, i është shtuar qytetit të Durrësit, si një vepër në simbol të historisë së shtetit shqiptar. Busti i derdhur në bronz i Ismail Qemalit firmëtarit të parë të  deklaratës së pavarësisë,  u vendos më 27 nentor, në lulishten pranë hyrjes së portit detar, shumë pranë vëndit ku ai zbriti nga anija, në 21 Nëntor të vitit 1912. Në prelude të  ditës historike, të krijimit të shtetit shqiptarë,  Zj. Florentia Erjola Xheko, e vlerësuar me titullin Qytetare Nderi e Durrrësit, merr iniciativën për  të realizuar vendosjen e bustit të Ismail Qemalit në qytetin e Durrësit,  me mbështetjen edhe të Bashkisë së qytetit,  në nderim të figurës historike të kombit shqiptar pikërisht në këtë 100-vjetor të pavarësisë. Ky moment historik i para 100 viteve kur Ismail Qemali ka dashur që Flaumuri të ngrihej në Durrës, është lënë në harresë për 1 shekull nga të gjithë regjimet dhe pushtetet. Ai, rikthehet sot nga Zj. Florentia Erjola Xheko e cila i ri-sjell qytetit babain e kombit Ismail Qemali dhe ri-vendos simbolin e historisë për mos tu shlyer më kurrë nga kujtesa e brezave qe do te vijnë.

Busti i derdhur në bronx ka një lartësi prej 110 cm dhe është vendosur mbi dy blloqe guri kuadratikë.
Ne kete menyrë Zj. Florentia Erjola Xheko realizon ëndrrën e saj te kahershme duke i shprehur njekohësisht qytetit të Durrësit mirënjohjen e thellë për nderimin e larte duke e shpallur qytetare Nderi. Në ceremoninë festive të organizuar me këtë rast ishte i pranishëm Kryetari i Bashkisë, Z. Vangjush Dako, si dhe personalitete e figura të shquara të qytetit të Durrësit, nga fusha të ndryshme. Zj. Xheko tha se, Durrësi është vëndi nga ku nisi rrugëtimin e tij Ismail Qemali drejt shpalljes së Pavarësisë, ndaj le të jetë ky monument simboli I përkujtimit të përjetësisë për këtë figurë legjendare. Ndërsa Z. Dako duke vleresuar iniciativën e Xhekos si një kontribut në mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave historike të qytetit, tha se “një ditë më parë qytetarët e Durrësit improvizuan zbritjen e tij në Durrës, ngritëm flamurin si 100 vjet më parë dhe sot kemi zgjedhur këtë shesh, për ta patur përgjithnjë mes nesh Ismail Qemal Vlorën, këtë reformator dhe vizionar të pashembullt të shtetit të ri shqiptar” .